Kupa e Shqipërisë, ja oraret e ndeshjeve çerekfinale

16/02/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar oraret e sfidave çerekfinale për trofeun e dytë për nga rëndësia në sportin më popullor në vendin tonë.

Sektori i garave në FSHF ka bërë të ditur oraret e sfidave të kthimit të Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohen të mërkurën më 17 shkurt. Pas këtij turi do të luhen edhe sfidat gjysmëfinale. Ato do të përcaktohen me short të lirë dhe do të luhen më 6 prill sfidat e para dhe më 20 prill ndeshjet e kthimit.

Teuta do të mbrojë në Kukës një avantazh të brishtë 1-0 në duelin e parë që mori në stadiumin “Niko Dovana”, por këtë radhë durrsakët do të kenë fushën kundërshtare si një minus të madh.

Vllaznia udhëton drejt Korçës ndërsa vendasit kërkojnë fitoren për t’u kualifikuar pas barazimit 0-0 që i lë llogaritë krejtësisht të hapura.

Edhe Tirana është më pranë kualifikimit me suksesin e parë 0-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit, ndërsa sfida e fundit që mbyll fazën çerekfinale është ajo mes Partizanit dhe Laçit. Kryeqytetasit kërkojnë të zhvlerësojnë fitoren 1-0 të kurbinasve në një ndeshje që nis të mërkurën në orën 17:00. 

Sfidat çerekfinale
Kukësi – Teuta 13:30
Skënderbeu – Vllaznia 13:30
Tirana – Flamurtari 13:30
Partizani – Laçi 17:00

Top Channel