Premier League, fitore tenistike për Liverpoolin

14/02/2016 00:00

Liverpooli ka arritur një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Aston Villas.

Formacioni i Klopp ka gjunjëzuar skuadrën e Remy Garde e cila po kërkonte me patjetër tre pikët që do të vlenin shumë për luftën, që tashmë duket e humbur, për mbijetesë. 

Në minutën e 16 sulmuesi Sturridge shënon golin e parë për të tijtë, ndërsa nuk kalojnë as 10 minuta kur epërsia dyfishohet me një tjetër lojtar të Kombëtares angleze, Milner.

Në minutën e 58, Emre Can shënon golin e tretë dhe Aston Villa u dorëzua, duke detyruar që edhe tifozët të lëshojnë shkallët e stadiumit, kësaj radhe jo për ndonjë protestë për çmimin e biletave, por për rezultatet e skuadrës.

Nuk kaluan as pesë minuta nga goli i tretë i Liverpoolit, kur belgu Origi i cili sapo ishte futur në lojë shënoi për 0-4. Liverpooli gjeti rrjetën për të pestën herë vetëm dy minuta pas golit të Origit, kur në të 65-n shënoi Clyne.

Për rezultatin përfudimtar mendoi Kolo Toure që në minutën e 71 shënoi për 0-6, një fitore tenistike për skuadrën nga “Anfield” dhe tre pikë të reja për të shpresuar akoma për një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

Top Channel