Premier League, Rooney i jep fitoren United përballë Liverpoolit

17/01/2016 00:00

Manchester United ka shënuar fitore në derbin e Anglisë përballë Liverpoolit. Edhe pse nuk ishte një fitore e merituar, tre pikët në “Anfield” janë shumë të rëndësishme në luftën për katër pozicionet e para që çojnë në Champions.

Liverpool pagoi për rastet që shpërdoroi 12 minuta nga fundi, kur Rooney shënoi golin e vetëm dhe të fitores. Fillimisht traversa i mohoi golin Fellainit që goditi me kokë, por topi u kthye në këmbët e kapitenit që realizoi për 0-1.

Rastin e parë në ndeshje, United e kishte me Martial në minutën e 57, ndërsa gjuajtjen e vetme brenda kuadratit të portës e bëri Rooney të cilën u kujdes që të përfundointe edhe prapa shpinës së Mignolet.

Emre Can, Jordan Henderson, Mamadou Sakho dhe Roberto Firmino, kishin raste shumë të mira shënimi, por asnjëri prej tyre nuk u tregua i saktë.

Gjithsesi, Van Gaal vazhdon serinë pozitive ndaj Liverpool ku ka katër fitore në po aq përballje me skuadrën nga “Anfield”. Ndërkohë, Kloop i bashkohet listës së gjatë të trajnerëve të Liverpoolit të cilët nuk kanë fituar ndeshjen e parë ndaj United.

Top Channel