Në përfundim të karrierës, Ronaldo: Qëndroj larg futbollit, jetoj si mbret

03/01/2016 00:00

Cristiano Ronaldo nuk ka ndërmend të qëndrojë në botën e futbollit, pasi të ketë mbyllur karrierën e tij. Sulmuesi portugez i Realit të Madridit e ka deklaruar këtë në një intervistë për “Papel”, ku deklaroi se nuk e mendon aspak rolin e trajnerit, apo të drejtuesit në ndonjë klub futbolli.

“Ekziston një tjetër jetë pas futbollit, – thotë Ronaldo. – Nëse do të më pyesni nëse dua të bëhem trajner, përgjigjja ime është jo! Madje nuk dëshiroj të jem as drejtues klubi. Mund të thoni se ky është profesioni më i mirë dhe se kam shumë parà, makina e banesa, por  kjo nuk është gjithçka. Mund t’iu jap një shembull: të shtunën ka një ndeshje boksi në Las Vegas dhe do të më pëlqente të shkoja atje së bashku me familjen time, por nuk mundem sepse nuk kam kohë. Pas futbollit do të më pëlqente të jetoja si një mbret”.

Ronaldo, prej afro një dekade po përjeton një rivalitet me Lionel Messin për titullin “Lojtari më i mirë në botë” dhe kjo ka bërë që mbi të të ketë një presion të madh, por futbollisti deklaron se nuk e ndjen aspak atë.

“Mund ta administroj presionin dhe kjo, falë vështirësive që kam kaluar në jetë, – shtoi Ronaldo. – Largimi nga shtëpia në moshën 11-vjeçare dhe kalimi në një botë krejtësisht tjetër ishte diçka e vështirë, por unë mësova shumë për qëndrueshmërinë gjatë kësaj kohe. Jam ky person që shihni tani, sepse kam kaluar shumë kohë pa familjen time dhe kam kaluar vështirësi të mëdha. Isha adoleshent, por duhet të veproja si një i rritur, arrita deri në atë pikë sa i hekurosja vet rrobat. Forca ime psikologjike u rrit pikërisht në atë çast”.

Top Channel