“Kosova e Re”, PDK dhe LDK bëjnë opozitën në komisionin parlamentar

01/12/2015 00:00

Raportimi i ministrit Blerand Stavileci, në komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik për procesin e projektit “Kosova e Re”, ka përballur këtë të martë deputetët e koalicionit PDK-LDK, ku diskutuan për historinë e procesit të tenderimit të këtij projekti.

Blerim Grainca, anëtar i komisionit nga LDK-ja, kërkoi të dihen fajtorët, që – sipas tij, – kanë dëmtuar për shumë vite fushën e energjisë, duke shtuar se janë bërë  keqpërdorime për interesa të grupeve të caktuara dhe për interes të importuesve e tregtarëve të energjisë elektrike, në rajon dhe më gjerë.

“Askush në këtë vend nuk ka mbajtur përgjegjësi, për ato parà publike që janë investuar në KEK. Për keqpërdorimet e donacioneve që janë bërë aty. Nuk mund t’i mbyllim sytë përpara një situate të tillë alarmante që ka ndodhur, dhe me shumë gjasa me korrupsionin që ka dominuar aty”, tha Blerim Granica, deputet i LDK-së.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, aktualisht deputet i PDK-së, Besim Beqaj, i cili i kërkoi Graincës që t’i procedojë më tej faktet për keqpërdorimet.

“Ne nuk jemi korrekt me qytetarin, as me veten, nëse dimë diçka. Në këtë mënyrë do të bëhemi bashkëpjesëtarë të atij aktiviteti, nëse kemi informacion, kemi argumente dhe nuk i tregojmë. Po e them publikisht, që nëse kushdo nga ne ka ndonjë argument, jo flluska politike, e kemi detyrim ligjor dhe mund të përndiqemi penalisht, nëse nuk tregojmë”, tha Besim Beqaj, deputet i PDK-së.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili ditë me parë bëri publike marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit të ri, tha se nuk do të merret shumë me historinë e projektit.

“Gjithmonë kemi folur për këto projekte, me të cilat ne e kompletojmë fotografinë energjetike të vendit tonë. Këtu hynë ‘Kosova A’, ‘Kosova B’, ‘Kosova e Re’, burimet e ripërtëritshme dhe efiçenca. Unë nuk dua të hy në histori. Mendoj se, të gjithë ata që kanë punuar na kanë mundësuar edhe neve, që t’i bëjmë hapat përfundimtarë herë me gabime e herë pa gabime, po e rëndësishme është që ne ta zgjidhim problemin”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ndërsa kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa tha se, pavarësisht kostos që qytetarët do të paguajnë, e rëndësishme është që tashmë në Kosovë do të investojë një kompani me autoritet.

Top Channel