Arrestimi i Kadaj-Bujupit, e bija: E arrestuan si të ishte kriminele

18/11/2015 00:00

Doruntina 15-vjeçare, vajza e deputetes Donika Kadaj-Bujupi, ka rrëfyer momentin kur në shtëpinë e tyre janë futur pjesëtarë të Policisë së Kosovës, për të arrestuar nënën e saj.

Ajo ka thënë për “KosovaPress” se, edhe pse kanë qenë të përgatitur për këtë, nëna e saj u arrestua si një kriminele.

“Policia ka ardhur rreth orës 08:30 në shtëpi dhe ka marrë mamin. Kemi qenë të përgatitur për një gjë të tillë, por mami u arrestua si të ishte një kriminele. Na kanë tmerruar mua dhe gjyshen”, tha Doruntina. Ajo bëri me dije se, nuk do të rrinë duarkryq dhe do të mobilizohen për ta përkrahur nënën e saj.

Ndërkohë, zyrtarë të AAK-së kanë takuar kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Pas takimit, nënkryetari i kësaj force politike, Ahmet Isufi tha se arrestimi i deputetes ndodhi pas deklaratave të kryeministrit.

Ai bëri të ditur se çështja e Donika Kadaj-Bujupit është në procedurë, duke shtuar se nuk do të pranojnë asnjë vendim që është në kundërshtim me Kushtetutën. Mësohet se prokurori i çështjes po vlerëson provat dhe pritet të dalë me një kërkesë për masë arresti.

Top Channel