Skandal/ Peshëngritja rrezikon europianin e Tbilisit

23/02/2015 00:00

Pas problemeve me dopingun, peshëngritja shqiptare përfshihet sërish në një skandal kombëtar. Si kurrë më parë, vendi ynë rrezikon të mos marrë pjesë në Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë në prill.

Shkak për këtë është bërë mosregjistrimi në kohë i delegacionit tonë, ku afati i fundit ka qenë me 6 shkurt. Në korrespondencën me postë elektronike mes federatës europiane dhe palës shqiptare thuhet qartë se organizmi europian ka adoptuar prej mëse dy vjetësh sistemin e regjistrimit “on-line”.

Madje në një nga e-mail-et, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane, Hasan Akush, i tërheq vëmendjen federatës tonë duke i thënë se nuk e ndjek kalendarin e Federatës Europiane dhe se ne gjithmonë këmbëngulim për kalendarin tonë personal.

Në të njejtin e-mail, Akush thekson se Sekretariati i Federatës Europiane nuk mund ta pranojë listën tonë, sepse afati i fundit për këtë ka skaduar që më 6 shkurt.

Ndërkohë, i kontaktuar me telefon nga Top Channel, Sekretari i sapoemëruar i Federatës Shqiptare, Agron Haxhihyseni pohoi se shpresa e fundit për Shqipërinë mbetet Bordi Ekzekutiv i Federatës Europiane, i cili nuk dihet se kur do të mblidhet, por që është i vetmi që merr vendim për këtë çështje.

Duke qenë se kemi 3 sportistë që janë të pezulluar për shkak të dopingut, të vetmit që mund të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë europian janë Shqiponja Brahja, Erkand Qerimaj dhe Sopot Sula.

Top Channel