Bayern-Hamburg, sfidë “njëshekullore”. Bavarezët të etur për “shumë gola”

13/02/2015 00:00

Jugu do të “takohet” me veriun. Bëhet fjalë për një nga përballjet e Bundesligës së kësaj jave, atë mes kryesuesve të Bayern Munchen që përgatiten të ndeshen me Hamburgun për të 100-tën herë.

Të dy ekipet vijnë pas fitoreve respektive ndaj Stuttgartit, 3-pikëshi i parë i bavarezëve gjatë këtij viti, si dhe ndaj Hannoverit, e dyta radhazi për veriorët e Hamburgut, për herë herë të parë në këtë sezon, pasi kishin mposhtur më herët Paderbornin.

Dy fitoret e fundit i kanë dhënë një shtysë gjermano-veriorëve për t’u larguar nga rreziku i rënies nga kategoria, por duke i dhënë edhe një situatë disi më komode për të shijuar udhëtimin e tyre të së shtunës drejt Bavarisë.

Bayern do të zbresë në fushë me synimin që rikthimi i tyre në “Allianz Arena” të jetë thuajse i ngjashëm me ato të dy sezoneve të fundit, përfshi edhe shkatërrmin “rekordmen” të klubit 9-2 gjatë sezonit të parvjetshëm.

“Duam të hedhim hapin e radhës”, tha mbrojtësi anësor i Bayernit, David Alaba, ekipi i të cilit është 8 pikë larg ndjekësve më të afërt në krye të Bundesligës. “Jemi përgatitur mirë këtë javë dhe shpresojmë t’i kënaqim tifozët tanë siç kemi bërë së fundi”, shtoi ai në deklaratën për faqen zyrtare të klubit.

Kjo nuk është e vetmja përballje interesante mes veriut dhe jugut të Gjermanisë këtë fundjavë, pasi edhe Werder Bremen, që vjen nga 4 fitore radhazi, do të përballet me Augsburgun, që është rikthyer në vendin e tretë (me pikë të barabarta) pas 3 fitoresh dhe një barazimi.

“Do të jetë një duel tepër i nxehtë”, tha drejtori sportiv i Bremenit, Thomas Eichin. Në ndeshjet e tjera të së shtunës, Borussia M’gladbach do të presë Këlnin në një derbi lokal, që koincidon edhe me karnavalet e këtij viti, ndërsa Andre Schurrle do të rikthehet tek ish-klubi i tij Bayern Leverkusen, tashmë për t’u përballur me ta si rival, me fanelën e Wolfsburgut.

Më në jug, Hoffenheimi do të ndeshet me Stuttgartin në një tjetër derbi lokal, kurse Schalke 04 do të udhëtojë drejt Eintracht Frankfurtit mbrëmjen e së shtunës. Fokusi do të rikthehet sërish në fund të tabelës së renditjes të dielën, kur Freiburgu do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u përballur me Hertha Berlinin, ndërkohë që Hannoveri dhe Paderborni do të kërkojnë fitoren e parë gjatë këtij viti.

Top Channel