Mauri ngjit Lazion në vendin e katërt, sot Juve dhe Milan-Napoli

14/12/2014 00:00

Stefano Mauri shënoi një dygolësh personal, duke ndihmuar në fitoren 3-0 të Lazios ndaj Atalantas për javën e 15 të Serie A, një triumf që i ngjit bardhekaltrit në vendin e 4 me pikë të barabarta me Genoan e vendit të tretë.

Kanë qenë dy pjesë loje krejt të kundërta për kryeqytetasit, teksa në 45 minutat e para u pa një lojë e vakët dhe pa gola, ndërsa në të dytën Mauri shënoi që në fillim e më pas në minutën e 71, përpara se Luliç të vuloste shifrat në 3-0 për ekipin e Stefano Piolit. Kjo është fitorja e dytë e Lazios, pas 3 humbjeve radhazi që shënonte deri javën e kaluar.

Lazio ngjitet kështu mbi Napolin dhe Sampdorian, ekipe këto që kanë impenjime të vështira ndaj Milanit dhe Juventusit, respektivisht, këtë të dielë, ndërsa Atalanta mbetet 3 pikë larg zonës së rënies.

Më herët gjatë së shtunës, Palermo i dha fund ecurisë pozitive të Sassuolos, duke triumfuar 2-1 në një ndeshje dramatike në “Renzo Barbera”, ku miqtë mbetën edhe me 9 vetë, ndërkohë që kur ishte me 10 barazoi përkohësisht shifrat.

Palermo mbetet në vendin e 9 me 21 pikë, dy pikë më shumë se kundërshtarët e Sassuolos.

Top Channel