“Messi u sakrifikua për Argjentinën”

29/10/2014 00:00

Alejandro Sabella, ish-trajneri i Argjentinës, ka dalë në mbrojtje të Leo Messit duke thënë se ylli i Barcelonës u sakrifikua për të mirën e kombëtares në Botërorin e Brazilit.

27-vjeçari nuk shkëlqeu në Botëror edhe pse në fund iu dha çmimi i lojtarit më të mirë të kompeticionit, një vendim që është kritikuar edhe nga presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, i cili deklaroi se çmimin e meritonte portieri gjerman Manuel Neuer.

Por, Sabella tha se Messi pranoi të luante më i tërhequr për hir të shokëve të skuadrës dhe vuri interesin e përbashkët para atij individual: “Messi është një shembull në kombëtare. Ai e vuri veten në dispozicion dhe ndihmoi shokët e skuadrës në Botëror.”

Gjithashtu, trajneri 59-vjeçar tha për ‘Radio La Red’ se Argjentina mund ta kishte fituar Botërorin nëse do të kishte shfrytëzuar disa mundësi të pastra shënimi para se Mario Gotze të shënonte golin e triumfit për Gjermaninë në finalen e madhe.

“Na mungoi efektiviteti para portës. Ishte një ndeshje e barabartë, por nëse do i kishim shfrytëzuar rastet, do të ishim ne kampionët”, tha Sabella.

Top Channel