Inaugurimi i “Elbasan Arena”

08/10/2014 00:00

Pasditen e të mërkurës është inauguruar stadiumi “Elbasan Arena” në prani të kryeministrit Edi Rama, presidentit të FSHF-së Armando Duka dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.

Para nisjes së miqësores së Shqipërisë me U-19 të Elbasanit, kryeministri takoi një nga një të gjithë futbollistët e kombëtares. Më pas, zyrtarët e lartë të qeverisë dhe FSHF-së u vunë përballë portierit Etrit Berisha dhe goditën disa 11-metërsha.

Zoti Rama tha për mikrofonin e Supersport: “Dukej sikur stadiumi nuk do arrihej të bëhej gati, por ia dolëm. Tani mbetet vetëm pista olimpike. Shpresoj që në këtë stadium të vijnë sa më shumë familjarë dhe ju siguroj që ky është vetëm fillimi.”

Federata Shqiptare e Futbollit dhe kuqezinjtë e drejtuar nga De Biasi e kaluan me sukses testin e parë para ndeshjes me Danimarkën.

Drejtuesit e FSHF-së kishin marrë të gjitha masat që miqësorja me skuadrën e U-19 të Elbasanit t’i ngjasonte për nga rregullat një ndeshjeje ndërkombëtare, duke filluar nga siguria në stadium, hyrja e tifozëve me biletat eletronike e deri tek detaji më i vogël.

Edhe pse përballë kishin 19-vjeçarët elbasanas, edhe kombëtarja e De Biasit e kaloi me sukses provën e parë para tifozëve në “Elbasan Arena”, pasi shënuan 7 herë në portën e skuadrës elbasanase. 

Top Channel