Serbia: Luajmë për fitore

07/10/2014 00:00

Futbollisti i Chelseat, Branislav Ivanoviç, njëkohësisht edhe kapiten i kombëtares serbe, ka thënë se Shqipëria ka një ekip që nuk duhet nënçmuar, por serbët do të luajnë një ndeshje vetëm për fitore. Ai ka thënë gjithashtu se ndeshja duhet të kalojë pa incidente.

“Shqipëria është një ekip me eksperiencë dhe ne do ta analizojmë situatën. Ka mundur dhe Portugalinë, por të dyja ndeshjet e ardhshme janë të rëndësishme për ne”, tha Branislav Ivanoviç, kapiten i Serbisë.

Federata Serbe e Futbollit ka mbledhur ekipin e saj për të bërë përgatitjet para ndeshjes me Armeninë, në qendrën e tyre në Stara Pazova, ndërsa tri ditë më vonë do të presë miqtë nga Shqipëria. Serbët kanë kërkuar që tifozët shqiptarë të marrin pjesë duke dhënë listat me të dhënat e tyre, pasi thonë se është procedurë e zakonshme. Kjo ende nuk është zgjidhur.

Mediat serbe kanë interesim për ndeshjen me Shqipërinë, ndonëse duket se dinë shumë pak për kombëtaren shqiptare.

Lazar Markoviç, futbollist i Liverpoolit, tha se do të japin maksimumin, ndërsa nuk pati shumë fjalë për vlerësimin e kombëtares.

“Nuk i njoh. E di që njëri nga ta është në Bazel, kemi luajtur kundër tyre”, tha Lazar Markoviç, futbollist i kombëtares serbe.

TCH: Çfarë pritjesh keni?

Markoviç: Natyrisht, ne do të luajmë për fitore.

Ndeshjen Serbi-Shqipëri do ta ruajnë tre deri në katër mijë policë.

“Federata Serbe e Futbollit ende nuk ka një përgjigje nëse tifozët shqiptarë do të vijnë në Beograd për të parë ndeshjen Serbi-Shqipëri, megjithatë ata kanë premtuar një organizim të mirë, ndonëse thonë se pjesa e sigurisë nuk u takon atyre”, informon korrespondenti i TCH në Serbi, Idro Seferi.

Top Channel