F1, Marussia: Durim dhe mirëkuptim për Bianchin

06/10/2014 00:00

Skuderia Marussia ka lëshuar një komunikatë për shtyp mëngjesin e së hënës për të informuar mbi gjendjen e pilotit Jules Bianchi, i cili vazhdon të jetë i shtruar në spitalin e Jokaiçit, ku të dielën u operua me urgjencë në kokë pas aksidentit të rëndë që pësoi në Cmimin e Madh të Japonisë.

Në komunikatë, Marussia nuk jep asnjë të re për gjendjen e francezit, por kërkon “durim dhe mirëkuptim” pasi çdo komunikatë mbi zhvillimet shëndetësore të Jules Bianchi “do të bëhet sipas dëshirës së familjes së tij”.

Komunikata zyrtare e Marussias:

Pas aksidentit që pësoi Jules Bianchi gjatë Cmimit të Madh të Japonisë të Formula 1 në cirkuitin e Suzukës, Marussia F1 Team kërkon të falenderojë për mbështetjen ndaj Jules dhe skuadrës në këtë moment kaq të vështirë.

Në lidhje me informacionet mbi situatën mjekësore të Jules, do të respektojmë dhe do të udhëhiqemi nga dëshira e familjes Bianchi. Ata kanë prioritet. Për këtë arsye, kërkojmë durim dhe mirëkuptim përsa i përket lajmeve mbi shëndetin e pilotit.

Top Channel