Juventusi i vetëm në krye, mposht Romën

05/10/2014 00:00

Juventusi arrin të mposht sërish Romën, këtë herë në një ndeshje që dhuroi gjithçka. Rezultati final ishte 3-2 për vendasit, i vendosur nga Bonucci vetëm 4 minuta para fundit të takimit.

Protagonisti absolut i 45 minutave të para të ndeshjes u bë arbitri kryesor, Rocchi i cili akordoi plot tre 11-metërsha, dy për Juventusin dhe një për Romën.

Ishte minuta e 27 kur Tevez ktheu në gol 11-metërshin e parë, ndërsa 5 minuta më pas ishte legjenda e ekipit të Romës, Totti që bëri të njëjtën gjë, duke barazuar shifrat. Roma duket se fitoi besim dhe në të 45-tën, Iturbe bëri lojtarin e madh duke kaluar përpara ekipin e tij. Pak sekonda më pas dhe Gervinho, bëri një nga ikjet e zakonshme, por dhe finalizimi i tij ishte mëse i zakonshëm. Gol i munguar dhe gol i pësuar sepse në minutën e 3-të shtesë, Rocchi u bë mbytës me protagonizmin e tij duke akorduar një tjetër 11-metërsh për Pogban, që në fakt u pengua jashtë zone. Nga pika e bardhë Tevez nuk gaboi dhe në pushim u shkua në shifrat 2-2.

Pjesa e dytë nisi sërish me një ritëm të lart për të dyja ekipet, ku Juventusi dukej më i karikuar, por ishte Roma që rrezikoi e para me anë të Pjanic në të 59-ën, por goditja e tij nuk ishte në portë. Naingolan gaboi sërish për kryeqytetasit, ku për pak centimetra nuk e dërgoi topin në rrjetë.

Juventusi u kundërpërgjigj me mbrojtësin Bonucci, i cili realizoi një gol fantastik në minutën e 86 të takimit. Minutat e mbetura nuk sollën më ndryshime në rezultat me Juventusin që fitoi 3-2, duke marrë sërish i vetëm kryesimin e Serie A.

Top Channel