Komisioni kundër dhunës: Masat të penalizohen

15/09/2014 00:00

Menjëherë pas vendimeve të Disiplinës në FSHF, Komisioni kombëtar kundër dhunës në sport ka rekomanduar edhe një sërë ndryshimesh lidhur me masat që duhen marrë për ngjarje të ngjashme me ato të ndeshjes Vllaznia-Tirana.

Ky komision, i cili kryesohet nga zv.ministri i Sporteve Rauf Dimraj, ka kërkuar ndërhyrje në kuadrin ligjor për ashpërsimin e masave ndaj shkaktarëve të dhunës.

Sipas propozimeve të tyre, personat që prishin rendin dhe qetësinë në ambientet sportive duhet të gjobiten deri në 500 mijë lekë dhe në raste më të rëndë edhe me ndjekje penale.

Përveç kësaj, ndalimi i hyrjes së tyre në të gjitha mjediset sportive për një periudhë jo më pak se 1 vit. Komisioni kundër dhunës në sport ka kërkuar gjithashtu bashkëpunim sa më të ngushtë mes policisë, federatave sportive, klubeve dhe pushtetit vendor.

Një nga propozimet më të rëndësishme të mbledhjes së parë të këtij komisioni është dhe forcimi i masave të sigurisë në mjediset sportive, vendosja e kamerave dhe detektorëve në mënyrë që të ndalohet hyrja e tifozëve me mjete të forta.

Top Channel