Basketboll, Serbia në finale me SHBA

13/09/2014 00:00

Në finale të Botërorit të Basketbollit, ekipi që do të sfidojë Shtetet e Bashkuara do të jetë Serbia.

Në Madrid, në gjysmëfinalen e dytë të turnet, kombëtarja e Djordjevic ka mposhtur Francën 90-85. Serbët vazhdojnë të udhëhiqen nga Milos Teodosic, 24 pikë dhe 3 asist, teksa ka shkëlqyer edhe ndaj Greqisë dhe Brazilit, ndërkohë që “Les Bleus” nuk kanë mundur të përsërisin sërish shpërthimin që patën me Spanjën, pavarësisht reagimit të fuqishëm në fundin e takimit.

Serbia është vënë menjëherë në komandën e ndeshjes, falë lojës së mirë të Teodosic. Të besuarit e Djordjevic siguruan një avantazh +18 pikë në fund të periodës së parë, ndërkohë që periodën e fundit e nisën me një distancë të sigurt prej 15 pikësh avantazh.

Por, në fundin e takimit erdhi edhe reagimi i papritur i Francës, që arriti deri në 3 pikë distancë ndaj serbëve, por pavarësisht kësaj, me një Thomas Heurtel shumë larg performancës së treguar në çerekfinale kundër Spanjës, me 12 pikë e 6 asist, nuk mundi të shkojë më shumë se kaq.

Në rikuperimin e “gjelave” ka rënë në sy Nicolas Batum, 35 pikë dhe 3 asist, ndërkohë që Boris Diaë dha kontributin e tij me 13 pikë dhe 10 topa në tabelë. Gjithsesi, Serbia nuk dorëzohet dhe shmang kështu një rënie të bujshme. Veç Teodosic, ranë në sy edhe Bogdanovic, 13 pikë, Markovic-Krstic-Raduljca me nga 11 pikë dhe Bjelica me 10 pikë.

Top Channel