FIFA: Shqipëria inkurajohet nga nisja ëndërrimtare

08/09/2014 00:00

Fushata e kualifikueseve për Europianin 2016 prodhoi që në ditën e parë një “shok” masiv. Mbrëmjen e së dielës, gjysmëroveshata e Bekim Balajt i dha një fitore surprizuese 1-0 Shqipërisë, kundër kombëtares aq shumë të vërshëllyer nga tifozët e saj, Portugalisë, në Aveiro.

Duke mposhtur finalistët e vitit 2004 në përpjekjen e tyre të 6, deklaron FIFA në një shkrim analizë kushtuar Shqipërisë, kuqezinjtë kërkojnë të tregojnë se më në fund kanë dalë përtej muzgut të ekipeve të mëdha të Europës.

“Kjo mbrëmje shënon një fitore historike kundër një prej ekipeve më të mëdha të Europës”, është shprehur plot me krenari kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ndaj gazetarëve të mbledhur pas vërshëllimës përfundimtare. “Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur për vendin tim, për bashkëkombasit e mi. Ata na konsiderojnë neve si një grup i vetëm, ndaj dhe ky sukses është për ta”, ka deklaruar 31-vjeçari, teksa mendimet e tij ishin larg, në vendlindjen e tij, ku fansat festuan gjatë gjithë natës.

Cana, një prej lojtarëve më me eksperiencë, hedh vështrimin drejt së ardhmes, me parashikime të mëdha. Për gjeneratën e re të futbollit shqiptar, mposhtja e Portugalisë të dielën, e cila ishte gjithashtu e privuar nga shërbimet e Cristiano Ronaldos, fitues në fuqi i “Topit të Artë”, mund të shënojë thjesht nisjen e një kapitulli të ri në historinë e tyre.

“Ishte një nisje e ëndërruar për ne, por gjendemi në një grup të vështirë me ekipe të forta, si Danimarka, Armenia dhe Serbia”, është shprehur mesfushori i Lacios. “Falë fitores së sotme (djeshme), tashmë ne kemi një shans për të luftuar deri në fund. Kemi shumë lojtarë të rinj dhe duam të vazhdojmë në këtë nivel”.

Shënuesi i golit të vetëm, Balaj, është gjithashtu plot me besim se Shqipëria mund t’i shkaktojë një tronditje të rëndë në rrugën drejt kompeticionit më madh të kontinentit të vjetër, që do të zhvillohet në Francë pas dy vitesh.

“Askush nuk priste që ne të fitonim në Portugali”, tha sulmuesi 23-vjeçar i Slavias së Pragës. “Erdhëm këtu për të bërë më të mirën, mendoj se bëmë një punë fantastike, të gjithë si ekip. Tashmë jemi plot shpresë se mund të vazhdojmë të luajmë kështu, siç bëmë sot (dje), në secilën prej ndeshjeve të ardhshme kualifikuese”.

I renditur në vendin e 70 të FIFA-s, ekipi me plot të rinj i drejtuar nga trajneri Giovanni de Biasi ka vetëm një synim të qartë: të rivalizojë për t’u futur për herë të parë në një kompeticion masiv ndërkombëtar, duke arritur finalet e Europianit të ardhshëm, që tashmë është zgjeruar me 24 ekipe.

Kuqezinjtë kanë bërë edhe herë tjetër bujë në arenën ndërkombëtare, kur kanë fituar 1-0 ndaj Sllovenisë dhe në transfertë ndaj Norvegjisë, në kualifikueset për në Botërorin “Brazil 2014”, teksa duket se trajneri italian i tyre i ka vendosur në rrugën e duhur…

“Është e mrekullueshme”, tha De Biasi, tepër i lumtur gjatë mbrëmjes së të dielës. “Sigurisht që është mirë të mposhtësh një kundërshtar, që renditet në vendin e 11 në botë”, shtoi ai, teksa qartazi dukej i etur për më shumë suksese të tilla në të ardhmen.

Top Channel