Real, Perez: Di Maria kërkonte më shumë se Ronaldo

05/09/2014 00:00

Gjatë prezantimit të bilancit të Real Madridit, me të ardhura prej 603 milionë euro, duke zënë vendin e parë absolut, presidenti Florentino Perez ka shpjeguar edhe arsyen e lamtumirës ndaj Angel di Marias, që sipas tij ka ardhur si pasojë e kërkesave të tepruara nga futbollisti argjentinas.

“I kemi bërë ofertën më të mirë të mundshme. Do të ishte lojtari më i paguar i Realit, pas Cristiano Ronaldos. Por, ai nuk e pranoi dhe u largua”.

Numri 1 i “Los Blancos”-ve ka shtuar se, “nëse do të kishte pranuar kërkesat ekonomike të Di Marias, do të kishim vendosur në rrezik stabilitetin financiar të klubit. Kështu që, sapo u siguruam për refuzimin e tij, vendosëm të merrnim James Rodriguez”.

Perez ka dashur të sqarojë edhe diçka në lidhje me intervistën e fundit të Cristiano Ronaldos, në të cilën portugezi kishte kritikuar zgjedhjet e merkatos të bëra nga drejtuesit, duke nisur që nga shitja e argjentinasit.

“Cristianon e njoh mirë dhe e di se në deklaratat e tij nuk ka pasur asnjë kritikë ndaj blerjeve të reja të klubit, përkundrazi, është më shumë se sa i lumtur. Raporti ynë është fantastik dhe besnikëria e tij ndaj Realit është jashtë çdo diskutimi”.

Gjatë kësaj konference, Perez ka prekur paksa edhe tema të tjera si largimi i Xabi Alonsos, për të cilin ka thënë se ishte ai që kërkoi të largohej, si dhe mos realizimin e blerjes së Radamel Falcaos, që sipas tij ishte një zgjedhje e marrë me miratimin Ancelottit.

Top Channel