Inzaghi: Pa Balotellin, kemi diçka më shumë

25/08/2014 00:00

Në pritje të përforcimit të ri në repartin e sulmit, që do të zëvendësojë të larguarin Balotelli, Inzaghi shpjegon në njëfarë mënyrë motivet që kanë shtyrë Milanin të lerë të ikë SuperMarion.

“Sigurisht që humbëm një lojtar të madh, por me shumë mundësi, sa i përket dëshirës dhe shpirtit të grupit, kemi fituar diçka më tepër dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur. Gjatë këtyre muajve me mua si trajner, ai është stërvitur gjithmonë dhe është sjellë mirë, ndaj dhe i uroj gjithë të mirat, por ne do të shohim përpara”.

Trajneri kuqezi nuk kërkon të verë gishtin në merkato. “E dinë se çfarë mendoj unë, por të shohim. Më duhet të stërvis lojtarët që kam, janë profesionistë të mëdhenj dhe kemi një grup në lartësinë e duhur. Pastaj, nëse vjen dikush do të jetë akoma më mirë, përndryshe jemi në rregull edhe kështu. Kemi treguar se, nëse luajmë si skuadër dhe vrapojmë më shumë se të tjerët, atëherë mund ta mbajmë kokën lart përpara kujtdo”.

Pas një faze përgatitore të vështirë, ndoshta as ai vet nuk e priste një rritje cilësi kaq evidente, sa u shfaq në Trofeun Tim, pas të cilit Pippo Inzaghit duket se i është rikthyer buzëqeshja.

Top Channel