Vidal: E ardhmja? Të stërvitem mirë!

15/08/2014 00:00

Arturo Vidal është bashkuar me grupin, në fazën përgatitore të Juventusit, që po zhvillohet në Singapor. Mesfushori kilian, gjithnjë e më shumë në qendër të zërave të mërkatos, ka shënuar në përgatitoren e zhvilluar me fushë të reduktuar, e që ka përfunduar 1-1.

Ditën e shtunë, në “National Stadium” do të luhet edhe ndeshja miqësore me një ekip, ku do jenë përzgjedhur lojtarë të Singaporit, pas të cilës bardhezinjtë do të rikthehen në Itali.

Allegri, pas kthimit në Itali, pritet t’i lërë 3 ditë pushim lojtarët, përpara se të nisin sërish stërvitjen. E megjithatë, lajmi më i mirë i kësaj të premteje ishte rikthimi në grup i Vidal, i cili prej së enjtes së kaluar ka nisur të vrapojë dhe që brenda kësaj jave është detyruar të punojë i diferencuar. Por, pas kthimit është vënë re dëshira e tij për të shkelmuar topin dhe për t’u stërvitur me grupin.

Vidal nuk prekte top me këmbë që prej fundit të Qershorit, kur Kili u eliminua nga Brazili në 1/8-at e finaleve të Botërorit. Rikuperimi i “luftarakut” është një lajm i mirë në lidhje me të ardhmen e tij, që do të analizohet në ditët në vijim sapo Juve të kthehet në Itali.

Kjo, pasi Manchester United është gati të ofrojë rreth 60 milionë euro dhe, duke shfrytëzuar edhe dëshirën e vet lojtarit, t’i bashkangjisë asaj edhe një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon, për ta marrë nga Juventus.

Top Channel