Në kërkim të “Lazaratëve” në të gjithë vendin

15/08/2014 00:00

Deri më 15 shtator Policia e Shtetit do të vijojë një operacion mbarëkombëtar për asgjësimin e lëndës narkotike kanabis sativa në zonat e identifikuara jo vetëm nga ajri, por edhe nga informacionet e mbledhura nga agjentë të krimeve dhe komuniteti.

Gjatë një interviste për Top Channel, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi tha se deri më tani janë asgjësuar 200 parcela.

“E nisëm këtë luftë kundër këtij fenomeni që në muajt e parë të vitit 2014. Momentet kur sipas informacioneve tona nis importimi i farës së bimës që vjen nga vendet e tjera, kryesisht nga Holanda, kultivimi i bimës nëpër kubikë dhe vazo dhe pastaj nxjerrja në fushë apo parcela natyrore. Kemi patur një gjithëpërfshirje të të gjitha strukturave policore. Kemi zhvilluar fushata ndërgjegjësimi, kemi zhvilluar takime me pushtetin lokal. Mund të them që është një veprimtari e policisë e shtrirë në të gjithë vendin pasi ka qenë një fenomen i përhapur në të gjithë vendin. Vërtet fokusi ka qenë tek Lazarati për shkak se u bë simbol i këtij fenomeni, jo vetëm kultivimit, por edhe kundërvënies ndaj shtetit. Nga data 1 qershor deri më 31 korrik janë 217 raste të evidentuara dhe autorë të proceduar janë 103”, deklaron kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Po cila është harta më problematike?

“Zona të tjera me një numër të konsiderueshëm bimës narkotike kemi në Malësitë e Krujës, Tiranës, në zonat që lidh trevat e Matit, Krujës dhe Tiranës. Kemi edhe në Malësinë e Dukagjinit dhe në zonën e Lumit të Vlorës dhe si fenomen na doli edhe zona e Kurveleshit, pra Malësia e Tepelenës. Pra në ato vende ku ka qenë e vështirë të kontrollohet, ku policia e ka patur të vështirë për ta mbajtur nën kontroll territorin, jo për shkak të kundërvënies së banorëve, por për shkak të mjeteve logjistike, distancës dhe vëëështirësive të terrenit. Gjithmonë është synuar që të kultivohet bimë narkotike. Pjesa më e madhe e kultivimit është bërë në toka pa pronarë, në zona pyjore, në zona që janë të fshehura, në shpate malesh, lugina”, shton Didi.

E ndërsa miti i Lazaratit konsiderohet një kapitull i mbyllur për policinë, kultivimi i drogës në këtë fshat nuk ka lidhje vetëm me banorët.

“S’kemi pse ta fshehim që kanë qenë të përfshira edhe strukturat policore dhe punonjës policie, por edhe struktura të tjera nga agjenci të tjera ligj-zbatuese që ne i kemi informacionet apo i kemi marrë nga procedime të ndryshme që kemi nisur. Kur erdhëm e gjetëm thuajse të boshatisur arkivin e Policisë së Shtetit nga informacionet për Lazaratin dhe nga dosjet e procedimit penal në lidhje fenomenin në këtë fshat. Nga këto procedime thellohen hetimet, thellohet informacioni. Ka procedime edhe për oficerë policie”, përfundoi intervistën e tij për Top Channel, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Top Channel