“Kroosi shitet për arsye ekonomike”

15/07/2014 00:00

Bayern Munchen konfirmoi shitjen e mesfushorit Toni Kroos “për arsye ekonomike”, por nuk zyrtarizoi klubin tek i cili do të luajë sezonin e ardhshëm futbollisti i kombëtares gjermane i cili u shpall kampion bote përpara disa ditësh.

Mediat gjermane dhe spanjolle kanë publikuar se Kroosi do të luajë për Real Madrid sezonin e ardhshëm dhe pritet vetëm konfirmimi nga të dyja klubet.

Presidenti i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge, shpjegoi: “Nuk donim që sezonin e ardhshëm të na largohej pa para’. Duhet të mendojmë për financat e klubit dhe nuk mund të lejonim që të mos fitonim asgjë nga largimi i tij.”

Mediat spanjolle bëjnë të ditur se 24-vjeçari do të prezantohet këtë javë si lojtari i ri i madrilenëve, ndërsa Bayern Munchen do të përfitojë nga shitja e Kroosit rreth 25 milionë euro.

Top Channel