Mediat braziliane: Seleçao, një “fiasko”

13/07/2014 00:00

Falimentim, shkatërrim… këto fjalë dhe shumë të tjera si këto kanë përdorur mediat braziliane për kombëtaren e tyre e cila u mund edhe nga Holanda. “Fiasko” është titulli i “Lancenet” e cila më tej shkruan: “Një tjetër goleadë për Brazilin i cili e mbyll Botërorin në vendin e katërt dhe sigurisht me mbrojtjen më të keqe të historisë së saj.”

14 gola pësuan lojtarët e Skolarit, për të cilin kritikat sa vijnë dhe shtohen, madje ditët e fundit kundër tij janë vënë edhe lojtarët me të cilët ai u shpall kampion bote në vitin 2002.

Roberto Carlos thekson se fajin më të madh në këtë zhgënjim e ka trajneri. Sipas ish-mbrojtësit, tekniku duhet të kishte grumbulluar lojtarë me më shumë emër, të cilët duhet të merrnin më shumë pergjëgjësi mbi supe.

Duke parë situatën që është krijuar rreth tij pas 10 golave të pësuar në 2 ndeshje, Luiz Felipe Skolari ka konfirmuar se do t’ia lërë në dorë presidentit të federatës të vendosë për të ardhmen e tij.

“Do t’i dorëzoj një raport final dhe do të jetë presidenti ai që do të vendosë”, ka thënë Skolari.  

Top Channel