F1, Hamiltoni ngacmon Rosbergun

08/07/2014 00:00

Hamilton dhe Rosberg, shokë skuadre tek Mercedesi dhe armiq në pistë, shfrytëzojnë çdo rast të mundshëm për të shtuar rivalitetin mes tyre. Kësaj here, “Luftën e Ftohtë” e ushqen piloti britanik, i cili të dielën fitoi garën e Silverstonit që zhvillohet në vendlindjen e tij.

Lewis Hamilton vë në dyshim se Cmimi i Madh i Gjermanisë që do të zhvillohet pas dy javësh do të jetë një garë në shtëpinë e gjermanit Rosberg.

“Të themi atë që është, Nico nuk ka qenë kurrë në Gjermani, kështu që nuk mund të themi se gara do të zhvillohet në shtëpinë e tij. Kur garonim në karting, ai kurrë nuk qëndronte pranë flamurit gjerman, por pranë atij të Monakos”, tha britaniku.

Nico Rosberg ka lindur në Wiesbaden të Gjermanisë, mamaja e tij është gjermane, ndërsa babai (ish-piloti Keke Rosberg) është finlandez. Vetë Rosberg, shumicën e jetës e ka kaluar në Monako, aty ku banon aktualisht.

“Monakoja është shtëpia e tij. Është gjerman, finlandez dhe monegask. Në Monako dhe Gjermani ka shumë tifozë dhe është gjithmoënë bukur të fitosh në territorin e tjetrit”, tha Hamilton duke qeshur.

Tërhëqja nga gara në Silverstone e Nico Rosberg ka bërë që kampionati i Formulës 1 të bëhet më interesant se kurrë pasi fitorja e Hamiltonit e ka afruar britanikun vetëm 4 pikë larg shokut të tij të skuadrës që kryeson klasifikimin e pilotëve.

Top Channel