Meksikani i “kafshimit” të pandëshkuar

07/07/2014 00:00

FIFA ka shpallur edhe gjyqtarin e gjysmëfinales së parë të Botërorit, atë mes Brazilit organizator dhe Gjermanisë.

Do të jetë Marco Rodriguez, 40-vjeçari nga Meksika, i cili ka gjykuar edhe ndeshje si Belgjikë-Algjeri dhe Itali-Uruguaj.

Më shumë se sa në takimin e parë, meksikani mbahet mend për të dytin, takim i cili rezultoi fatal për shpresat e “axurrëve” në këtë botëror, pasi Rodriguez dha një karton të kuq për Marchisio-n dhe më pas nuk ndëshkoi kafshimin e Luis Suarez ndaj Chiellini-t.

Brazil 2014 është turneu i tretë botëror ku Rodriguez merr pjesë, pasi ka drejtuar më parë dy ndeshje në secilën prej turneve të fundit. Në 2010-n, njëra prej sfidave ka qenë Gjermani-Australi 4-0.

Gjatë karrierës së tij, Rodriguez është zgjedhur në disa turne ndërkombëtarë, përfshi 5 edicione të Kupës së Artë (CONCACAF, e Amerikës Veriore e Qendrore, 2005, 2007, 2009, 2011 dhe 2013), Kupën e Amerikës 2004, Botërorin e U-20 në vitin 2009 si dhe 3 Botërorë të U-17 (2003, 2005, 2013).

Në nivel klubesh, ai ka gjykuar 3 finale të “Champions League”-s së Amerikës Veriore e Qendrore, ndërsa ndeshja më prestigjioze e drejtuar prej tij ka qenë finalja e Botërorit për Klube në vitin 2007, mes Boca Juniors dhe Milanit. Më pas ka gjykuar edhe takimin Al Ahly – Corinthians, në gjysmëfinalet e 2012-s sërish për Botërorin e Klubeve.

Top Channel