Ofertë nga Kosova për Luis Suarez

30/06/2014 00:00

Oferta e skuadrës së futbollit kosovare, Hajvalia drejtuar futbollistit uruguajan, Luis Suarez për t’iu bashkuar asaj në formë huazimi përgjatë gjithë periudhës që është i dënuar nga FIFA është pasqyruar gjërësisht në mediat ndërkombëtare, vecanërisht ato britanike.

DailyMail, The Telegraph dhe të tjera i kushtojnë një hapësirë të vecantë në versionet e tyre online propozimit të skuadrës kosovare.

“Luis Suarezit i ofrohet shansi për t’u rikthyer në fushën e blertë duke shmangur dënimin e FIFA….por vetëm për 1500 euro në muaj”, shkruan DailyMail për ofertën e Hajvalisë, duke sqaruar më pas se Federata e Futbollit e Kosovës nuk njihet as nga FIFA dhe as nga UEFA ndaj as ligjet dhe rregullat e këtyre dy organizmave nuk kanë fuqi në Kosovë.

Mund të duket për të qeshur, por oferta e Hajvalisë është serioze. Presidenti i klubit kosovar ka gati planin; 30 mijë euro për Liverpulin për huazimin dhe 1500 euro në muaj për sulmuesin uruguajan.

“Ofruam 30 mijë euro për Liverpulin dhe një rrogë prej 1500 eurosh në muaj për Suarezin. Mund të duket shumë qesharake, por kaq kemi mundësi”, citohet Xhavit Pacolli, kreu i klubit të futbollit Hajvalia.

Por është federata kosovare ajo që zbret me këmbë në tokë Hajvalinë dhe gjithë tifozët e saj. Në një deklaratë, FFK thotë se Luis Suarez nuk mund të luajë në Kosovë pasi rregullat e FFK-së janë përshtatur me ato të FIFA-s dhe UEFA-s dhe si të tilla nuk ia lejojnë një gjë të tillë.

Top Channel