Deschamps: Hondurasi, test i vështirë

15/06/2014 00:00

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka paralajmëruar “gjelat” se do të përballen me një test të vështirë kundër Hondurasit, një skuadër e mirëorganizuar, kur ata të debutojnë në Botërorin e Brazilit, ndeshje që do të zhvillohet në Porto Alegre këtë mbrëmje, në orën 21:00.

Në letër, francezët duken se kanë pasur një fat të madh dhe një short të lehtë, duke qenë se kanë edhe ekipe si Zvicra dhe Ekuadori në grupin E, por Deschamps beson se humbja turpëruese e kampionëve të Botës, Spanjës, 5-1 nga Holanda, është një shenjë paralajmëruese se gjithçka mund të ndodhë.

“Nuk jemi më duke luajtur në kualifikuese. Tashmë të 32 ekipet janë të nivelit të lartë”, tha tekniku 45-vjeçar, i cili ka qenë kapiten i Francës gjatë triumfit të arritur në Botërorin e vitit 1998. “Besoj se s’ka nevojë t’iu kujtoj që, në të kaluarën, një ekip i madh si Spanja, që u turpërua nga Holanda 2 ditë më parë, ka humbur edhe ndaj Zvicrës 4 vjet më parë, Brazili pati gjithashtu një ndeshje të vështirë kundër Kroacisë, ndaj dhe është e logjikshme që ne të mos kemi një ndeshje të lehtë këtë mbrëmje”, tha Deschamps.

Hondurasi ka fituar një reputacion si një ekip fizik, përpara se sa të fillonte turneu “Brazil 2014”, pikërisht për shkak të asaj miqësoreje me tepër temperament ndaj Anglisë javën e kaluar, gjatë së cilës amerikano-qendrorët u ndëshkuan edhe me karton të kuq, pikërisht lojtari Brayan Beckeles.

Gjithsesi, Deschamps këmbëngul se kundërshtari i parë i Francës ka më shumë forcë “blinduese”, se sa një forcë “negative apo brutale”.

Top Channel