Kryeqyteti pa asnjë stadium

11/06/2014 00:00

Kryeqyteti duket se, nga dy, ka përfunduar pa asnjë stadium, ku mund të luhet futboll me kushte minimale. Duke qenë se stadiumi “Qemal Stafa” do të fillojë prishjen rreth muajit Shtator, stadiumi tjetër “Selman Stërmasi” nuk plotëson asnjë kriter minimal të vendosur nga FSHF, jo më nga UEFA apo FIFA.

Federata Shqiptare e Futbollit duket se është e vetmja, dhe më e interesuara, për ndërhyrjen në këtë stadium, për një rikonstruksion minimal sa për plotësimin e kushteve minimale, përndryshe, skuadrat kryeqytetase, Tirana dhe Partizani, do të detyrohen të luajnë jashtë.

“Federata ofron tapetin e barit dhe impiantin vaditës ose riparimin e tij, ndërkohë që Bashkia ose klubi duhet të organizojë punimet në bazament. Ne mundet të bashkëpunojmë edhe në ndërhyrjen në ambiente të tjera, të cilat sipas gjendjes që mund ta konstatoni edhe vet, kanë nevojë për ndërhyrje. Për pjesën minimale, sa për të plotësuar kushtet fillestare, mbyllja e tribunës kryesore, tribunës përballë dhe dy të tjerave anësore, do të duhen të paktën 400-500 mijë euro. Në këtë moment që flasim mund të themi se kemi kohë, por duke e shtyrë më tutje, koha nuk do të mjaftojë dhe ndoshta ekipet e kryeqytetit mund të mos luajnë në Tiranë”, tha Arben Dervishi, kryetar i Komisionit të Investimeve.

Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, nëse shkon për të parë këtë stadium të rrënuar, të presin punëtorët e këtij klubi të pashpresë, rroga e tyre mungon prej më se 5 muajsh dhe askush nuk u përgjigjet më për asgjë.

“Nga Janari i këtij viti e deri në Qershor, që jemi aktualisht, neve na dhanë më pak se 1 rrogë. Klubi më shumë na ka mashtruar, jo miratohet sot buxheti, jo vjen ky fond, jo do marrim këtu apo atje. Kemi 5 muaj pa paguar, pa ujë, drita dhe mos themi edhe pa bukë”, tha Tomorr Demo, roje pranë stadiumit.

“Mirë që po merr borxh, por kujt po ia jep? Se dimë, jemi në rrugë të madhe. S’kemi shpresë, këtu ka humbur shpresa fare. Vetëm ne punojmë këtu, s’ka njeri tjetër. Ata thonë që lekët janë derdhur, por se ku kanë shkuar, nuk e dimë”, tha Andrea Heba, punëtor terreni.

Dhe, pavarësisht se borxhi i të gjithë këtyre bashkë është sa rroga mujore e një futbollisti, administratori i Klubit, Krenar Alimehmeti, nuk ka përgjigje për të dhënë, as për stadiumin, dhe aq më pak për punonjësit e tij, që secili prej tyre i ka shërbyer këtij klubi dhe stadiumi, mesatarisht 30 vitet e fundit.

Top Channel