Kameruni refuzon të udhëtojë në Brazil

08/06/2014 00:00

Pjesëtarët e kombëtares së Kamerunit kanë refuzuar të udhëtojnë të dielën për në Brazil pasi nuk kanë arritur marrëveshjen me Federatën për shpërblimet që do të marrin në varësi të paraqitjes së tyre në Kupën e Botës.

Lojtarët nuk kanë pranuar të hipin në avionin që kishte vënë në dispozicion presidenca e Kamerunit. Ata nuk kanë pranuar ofertën ekonomike që i ka bërë Federata Kamerunase e Futbollit dhe të shtunën, pas fitores në miqësoren ndaj Moldavisë, bojkotuan ceremoninë e dorëzimit të flamurit nga ana e kryeministrit të vendit. Në vend të tyre, flamurin e mori stafi teknik me në krye trajnerin gjerman Volker Finke.

Sipas ‘L’Equipe’, lojtarët kërcënojnë se do të qëndrojnë në Yaunde deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por koha nuk premton pasi pas 6 ditësh ata duhet të debutojnë në Botëror ndaj Meksikës.

Edhe në vitin 2002 ka ndodhur e njëjta gjë me Kamerunin. Lojtarët qëndruan në qytetin Roissy derisa morën paratë e premtuara nga Federata e më pas u eliminuan që na fazën e grupeve të Botërorit.

Top Channel