Grupi E, Platini përballë Blater

05/06/2014 00:00

Grupi E në këtë botëror do të vendosë përballë njëri-tjetrit Presidentin e FIFA-s, Sep Blatteri dhe atë të UEFA-s, Mishel Platinin.

Kjo për faktin se përfaqësueset e vendlindjeve të tyre Zvicra dhe Franca do të jenë kundërshtarë dhe do të kërkojnë të kualifikohen si të parët e grupit.

Ardhja e Ottmar Hitzfeld në krye të Zvicrës dhe rezultatet e mira gjatë fazës kualifikuese ka bërë që kombëtaret e mëdha të kenë më shumë respekt ndaj një skuadre të vogël, e cila ka në përbërje të saj 5 lojtarë me origjinë shqiptare. Madje tek njëri prej tyre dhe pikërisht te Xherdan Shaqiri zviceranët shpresojnë që ta marrë për dore skuadrën dhe ta çojë sa më larg të jetë e mundur.

Përfaqësuesja franceze është një nga favoritet e këtij botërori, të paktën ne letër. Yjet nuk mungojnë në këtë kombëtare dhe secili prej tyre është kampion në ekipin ku luan gjatë sezonit futbollistik.

Ribery, Benzema dhe Pogba janë lojtarët ku trajneri Deschamps ka fokusuar lojën e kombëtares franceze, e cila prej disa vitesh është në kërkim të identitetit.

Për kombëtaren e Ekuadorit, kjo është hera e tretë që kualifikohet për në fazën finale të një botërori. Rekordi i kësaj skuadre janë 1/8 në botërorin Gjermani 2006, dhe në Brazil kjo përfaqësuese do të provojë të shkojnë më shumë se kaq.

Lojtari më i rëndësishëm i këtij ekipi është mesfushori i Manchester United, Antonio Valencia.

Skuadra më pak favorite e këtij grupi është kombëtarja e Hondurasit, e cila ende nuk ka mundur të regjistrojë një fitore në 2 kampionatet botërore që ajo ka marrë pjesë më parë, në Spanjë dhe në Afrikën e Jugut.  

Top Channel