Gerrard: “Fiksimi” i penalltive s’na shqetëson

04/06/2014 00:00

Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, tha të mërkurën se nuk është i shqetësuar në lidhje me perspektivën e vendosjes së ndonjë ndeshjeje nëpërmjet gjuajtjeve të 11-metërshave në Botërorin e Brazilit, pavarësisht historisë negative të kombëtares së tij me fatin e penalltive.

Anglia është eliminuar me penallti në 3 kampionate botërore, ato të 1990-s, 1998-s dhe 2006-s, ndërkohë që është dorëzuar gjithashtu përmes 11-metërshave edhe në Europianët e 1996-s, 2004-s dhe 2012-s.

Gerrard ishte një nga golashënuesit për Anglinë në ndeshjen ndaj Italisë, në të cilën u eliminuan në Euro 2012, por në vitin 2006 penalltia e tij u prit nga portieri i Portugalisë, në çerekfinalet e Botërorit të Gjermanisë.

Gjuajtjet e 11-metërshave kanë qenë diçka si të thuash një fiksim kombëtar në Angli, por Gerrard thotë se ai, së bashku me shokët e tij të kombëtares, nuk mund të lejojnë të shpërqendrohen nga ky detaj.

“Është e vështirë ta përshkruash atë moment”, tha Gerrard. “Fatkeqësisht për mua, dështova në një situatë të ngjashme kur mora përgjegjësinë për të ekzekutuar një penallti gjatë një Botërori, por mund të them se ishte një atmosferë e vështirë, ku nuk do të doja të gjendesha sërish”.

“Arrita të merrja leksionet e asaj situate dhe 2 vjet më parë arrita të shënoj penalltinë që më kërkuan të godas. Kemi mundur të praktikohemi shumë me 11-metërshat, por është një situatë e vështirë për ta përshkruar me fjalë”.

“Ka shumë presion në ato momente. Të jepet mjaftueshëm kohë për të menduar për penalltinë, por ajo që rrezikohet pas saj është shumë herë më e madhe dhe të shkakton një sitatë tensionuese dhe me shumë  presion. Momenti i gjuajtjeve të 11-metërshave është shumë herë më i komplikuar se sa të të jepet rasti të ekzekutosh një penallti gjatë një ndeshjeje normale kampionati”.

Top Channel