Katar 2022, FIFA sërish nën akuzë

01/06/2014 00:00

FIFA është vënë sërish në qendër të kritikave për korrupsion në lidhje me vendimin për organizimin e Botërorit 2022 në Katar.

“Sunday Times” pretendon se zotëron miliona dokumente sekrete, e-maile, letra dhe transferta bankare që sipas saj provojnë pagesat korruptive të Katarit kundrejt zyrtarëve të organizmit më të lartë të futbollit botëror në këmbim të votës për organizimin e kampionatit.

Përfaqësuesi i Katarit në FIFA, njëkohësisht ish-zv.president i saj, Mohamed Bin Hamam mohon akuzat e se ka lobuar për të fituar të drejtën e organizimit të botërorit.

Por sipas e-maile të siguruara nga “Sunday Times” 65-vjeçari ka nisur të lobojë dhe të paguajë zyrtarët e FIFA-s të paktën një vit para se të merrej vendimi.

Dokumentet tregojnë pagesat direkte të zyrtarëve të FIFA-s në Afrikë për të siguruar mbështetjen e tyre. Në një rast, sipas mediave britanike Bin Hamam ka paguar përfaqësuesit të Oqeanisë në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s, ndërsa në Afrika strategjia, sipas të njëjtave burime, ka qenë pagesa e zyrtarëve të FIFA-s pa të drejtë vote për përcaktimin e vendit organizator, por me influencë të madhe tek katër përfaqësuesit me të drejtë vote të këtij kontinenti.

Katari mohon këto akuza dhe këmbëngul se nuk ka patur asnjë parregullsi në vendimin për të organizuar botërorin, ndërsa shton se Bin Hamam ka lobuar i pavaruar në këtë fushatë.

Top Channel