Schumacher, 5 muaj nga incidenti i rëndë

28/05/2014 00:00

Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, ka kaluar tashmë edhe ditën e tij të 150 në koma të induktuar, teksa spekuluesit pretendojnë se ai do të mbetet në gjendje vegjetative të përhershme për pjesën e mbetur të jetës.

Shtatë herë kampioni i tërhequr gjerman i botës së automobilizmit, është në koma prej afro 5 muajsh, që kur përplasi kokën e tij mbi një shkëmb në alpet franceze, gjatë një rrëshqitjeje me ski, më 29 Dhjetor.

Sipas “Daily Express”, edhe pse ekipi menaxherial i Schumacher nuk ka lëshuar asnjë përditësim mbi progresin e tij gjatë 6 javëve të fundit, ekspertët mjekësorë i frikësohen më të keqes, pasi javën e ardhshme, ylli i garave me makina do të hyjë në muajin e gjashtë të gjendjes së komës, teksa progresi mund të perceptohet shumë pak në rifitimin e ndërgjegjes së plotë nga ana e pilotit.

Një ekspert nga një klinikë neuro-rehabilituese në Gjermani tha se, edhe pse është e pamundur të thuash se sa shpejt mund të zgjohet një pacient me dëmtime në tru, një gjë është e sigurt: sa më e gjatë faza e rikuperimit, as më serioze është dëmtimi i trurit të pacientit.

Një doktor i F1 i frikësohet faktit se, sa më shumë të rrijë në koma Schumi, aq më e pamundur bëhet rikuperimi i tij nga kjo gjendje vegjetative, ndërkohë që një profesor neurolog francez tha se, statistikisht, 30% e pacientëve rikuperohen ndjeshëm nga një dëmtim i rëndë në tru, 50% preket nga një dëmtim i lehtë, ndërsa 20% e tyre vuajnë çrregullime të rënda.

Top Channel