“Maniaku” Inzaghi në krye të Milanit

27/05/2014 00:00

Nuk është aspak risi për Milanin, që t’ia besojë drejtimin e pankinës një ish-lojtari të tyre. Kishte ndodhur më parë me Liedholm, Maldini, Trapattoni, Radice, Capello, Ancelotti, Leonardo dhe Seedorf.

Por, në rastin e Pippo Inzaghi-t bëhet një kalim nga një pankinë më e vogël, ajo e “Primavera”-ve, tek ajo më e madhja, e skuadrës së parë. Pikërisht siç ndodhi edhe me Fabio Capello-n.

Trajneri i ri i Milanit, është përzgjedhur por mungon vetëm zyrtarizimi, do të mbërrijë në Milanello, ku do të marrë mbi supe një detyrë të vështirë, me disa situata pak më shumë të avantazhuara nga paraardhësi i tij. Kryesore është raporti i privilegjuar me Adriano Galliani-n, por edhe përkrahja e tifozëve nuk është pak për të.

Do të ketë avantazh të niset si lider i një skuadre, që ka dështuar objektivin europian, që nuk ka mundur të ecë në Kupën e Italisë, dhe që në kampionatin italian ka pësuar humbje si kurrë më parë që prej viteve 1920.

Krahasuar me Seedorf, vjen në krye të pankinës me këmbë në tokë, me një bagazh disi të mirë eksperience, të fituar gjatë sezoneve të fundit me sektorin e të rinjve, me një interpretim thuajse maniaku të profesionit të ri, me një sukses në Viareggio, si dhe me një raport shumë të mirë me disa lojtarë të skuadrës së parë. Madje, do të ketë edhe një El Shaarawy më shumë.

Milani i Pippo Inzaghi-t do të niset pikërisht nga El Shaarawy dhe do të bazohet në dy module loje (skema taktike): 4-3-3 dhe 4-3-1-2.

Në rastin e parë kemi të bëjmë me një sistem tërësisht sulmues, në të cilin Montolivo do të vendosej përpara mbrojtjes, duke qenë inspirues për një “tridhëmbësh” të përshatur mirë sot, Taarabt, Balotelli dhe El Shaarawy.
 
Në rastin e dytë, Montolivo apo Kakà do të vendosej pas dy sulmuesve: Balotelli dhe El Shaarawy. Faktikisht, Inzaghi do të vinte në zbatim të njëjtat taktika që ka adoptuar edhe gjatë sezonit të fundit në drejtim të “Primaverës” së Milanit.

Në stafin teknik sigurisht që do të jetë Tassotti, Andrea Maldera dhe Matteucci, bashkëpunëtori i tij në sektorin e të rinjve, por edhe Filippo Galli, ndërmjetësi mes shoqërisë dhe skuadrës. Superpippo do të niset pikërisht nga ajo pankinë, që i është premtuar dy herë tashmë.

Top Channel