Kosova, publikohet lista për Turqinë e Senegalin

19/05/2014 00:00

Ekipi përfaqësues i Kosovës në futboll do të luajë ndeshjen miqësore kundër Turqisë, të mërkurën pasdite, në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës, ndërsa 4 ditë më vonë përfaqësuesja do të përballet në Gjenevë, me Senegalin.

Trajneri i Kosovës Albert Bunjaku, në një konferencë për media, ka zbuluar emrat e lojtarëve të ftuar për miqësoren kundër Turqisë dhe Senegalit. Bunajku mendon se miqësoret kundër tyre janë fat i mirë për përfaqësuesen kosovare, pasi – sipas tij – bëhet fjalë për dy superfuqi të futbollit.

“Është një fat i mirë, një nder për ne, që kemi dy ndeshje të këtij kualiteti, siç janë këto kundër Turqisë dhe Senegalit, pasi janë dy superfuqi të futbollit. Informimin e kemi marrë shumë herët, se do të luhen dy përballje shumë të forta. Ne e dimë rëndësinë e këtyre ndeshjeve në aspektin mediatik, qoftë në aspektin e ndërkombëtarizimit, por edhe në atë sportiv dhe, nëse dimë t’i shfrytëzojmë ashtu si duhet, këto ndeshje do të ndikojnë në zhvillimin tonë, si në aspektin sportiv dhe në atë organizativ”, tha Albert Bunjaku, trajner i Kosovës.

Pavarësisht se Kosova do të luajë dy ndeshje miqësore, megjithatë, Bunjaku ka vendosur të ketë më pak lojtarë në dispozicion, sepse – sipas tij – kjo ndikon në ruajtjen e kualitetit brenda grupit. Bunjaku thotë se është rast i mirë, që këta lojtarë të testohen në këto dy miqësore.

“Kam ekipin më të mirë të mundshëm, besoj, në këtë skuadër që kam këtu të grumbulluar. Ne e kemi ditur se do të kemi vështirësi, qoftë çështje oraresh, qoftë çështje ndryshimesh, por është me shumë rëndësi të kthehemi sërish tek ajo pjesa pozitive, në mënyrë që t’i jepet mundësi lojtarëve. Ne jemi shumë të kënaqur, që prej këtyre sfidave të nxjerrim një ose dy lojtarë, të cilët Kosova do t’i ketë më vete në Kampionatin Botëror apo Europian”, tha Albert Bunjaku.

Ndërkohë, risi e listës së Bunjakut është edhe ardhja e mesfushorit Debatik Curri, i cili është pjesë e Kombëtares shqiptare, por – sipas Bunjakut – Curri do të luajë për Kosovën vetëm në miqësoret ndaj Turqisë e Senegalit, e më pas sërish do t’i bashkohet Shqipërisë.

Pjesë e listës së Bunjakut janë edhe lojtari më i mirë i Kosovës, Mentor Zhdrella, si dhe Ylli Hoxha i Kukësit dhe Bajram Jashanica.

Top Channel