F1, Vettel: Cdokush mund të fitojë në Monaco

15/05/2014 00:00

Botërori i Formulës 1 do të zhvendoset në Montekarlo javën e ardhshme për të zhvilluar Cmimin e Madh të Monakos, që është gara e gjashtë e këtij evenimenti.

Mercedesi është skuadra dominuese pasi ka arritur të fitojë 5 garat e para, madje me një diferencë të madhe kundrejt skuadrave si Red Bull apo Ferrari. Por, sipas Sebastian Vettel pista e Monakos mund të ndryshojë disi gjërat në këtë Botëror për shkak edhe të karakteristikave të saj. Kampioni në fuqi ka deklaruar se në garën e principatës fuqia e motorit do të ketë më pak ndikim në krahasim me garat e tjera dhe se për Red Bullin shfaqet një mundësi e mirë për të thyer Mercedesin.

“Është e vështirë të bëhen parashikime, por ndoshta në Monako fuqia e motorit do të jetë më pak vendimtare në krahasim me garat e tjera. Mund të ketë edhe reshje shiu, gjë që mund të na ndihmojë. Kështu që mendoj se shanset për të fituar  në këtë ndalesë janë të mëdha”, tha Vettel.

Gjatë këtyre ditëve pilotët e Formulës 1 morën pjesë në testet e parashikuara për t’u zhvilluar gjatë sezonit ku padyshim mori pjesë edhe Vettel, por gjermani theksoi se Red Bulli në këto prova u paraqit vetëm për të parë gjendjen aktuale të makinës.

“Në testet e fundit nuk bëmë asnjë përgatitje për garën e Monakos. Përdorëm gomat që kishim edhe në garën e Spanjës. Këto prova i shfrytëzuam më shumë për të kuptuar gjendjen reale të makinës në përgjithësi”, deklaroi katër herë kampioni i Formulës 1.

Top Channel