Conte drejt largimit nga Juventusi

12/05/2014 00:00

Antonio Conte ka lënë të kuptohet se ky do të jetë sezoni i tij i fundit në drejtimin e Juventusit. Trajneri i cili ka fituar tre tituj kampion radhazi në Serinë A ka pranuar pas fitores ndaj Romës (0-1) se do të marrë parasysh projekte të tjera pas ndeshjes së fundit të kampionatit.

“Kam kaluar tre vite fantastike dhe lojtarët më kanë dhënë gjithmonë maksimumin. Do të shohim çfarë do të ndodhë, por me siguri që nuk do të bëj një vit pushim. Futbolli është me cikle dhe klubi e di tashmë mendimin tim”, tha Conte.

Trajneri italian ka theksuar se nga ai pritet fitorja në Champions League dhe këtë gjë nuk mund ta premtojë.

“Juventusi jeton me presionin e fitores. Juventusit nuk i lejohet thjesht të paraqitet mirë, por duhet të fitojë. Duke parë diferencat në aspektin ekonomik që ne kemi me skuadrat e mëdha europiane, është e pamundur të fitojmë në Europë sipas meje”, shpjegoi Conte.

Top Channel