“Unë jam këtu para jush, jo për të komunikuar rezultatin e zgjedhjeve, sepse ai tashmë është i qartë për cdo njeri dhe natyrisht i pranuar nga unë dhe Partia Demokratike, por jam para jush për t’iu njohur me vendimin tim”.

“Unë kam qenë gjithnjë i vendosur për t’iu bindur plotësisht verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Unë iu përkas atyre politikanëve, që besojnë se sovrani nuk gabon, që besojnë se ai ka gjithnjë të drejtë. Duke marrë përgjegjësitë, që vërtet më takojnë, me një vendim të prerë kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e PD-së, të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj. Të punoj me përkushtim të madh, së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur e promovuar, si opozitë, vlerat e parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar përsëri atë në një program të shumicës së shqiptarëve. Ndaj ju lutem, që të mos gaboni e ta merrni, apo konsideroni, këtë fjalë si një fjalim lamtumire, i tillë ky nuk është. Madje nga unë, PD-ja, anëtarët dhe mbështetësit e saj, nuk do të dëgjojnë ndonjëherë fjalimin e lamtumirës, për faktin e thjeshtë se ai do të ishte një fjalim, të cilin unë s’do mund ta lexoja kurrë”.

Si për ironi të fatit, me një fjalim, që zgjati ekzaktësisht 29 minuta, aq sa ishte dhe numrin i Partisë Socialiste në fletën e votimit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe dha dorëheqjen nga çdo post drejtues i Partisë Demokratike, ndërsa mbështetësit e tij, jashtë selisë blu, e priten me lot këtë vendim.

Ndërsa dorëhiqej, pas 22 vitesh nga drejtimi i PD-së, lideri historik i së djathtës i ka uruar suksese Edi Ramës, në detyrën e tij të re.

“Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fitues të zgjedhjeve, mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë”, uroi Berisha.

E për këtë humbje, Berisha deklaroi se ka vetëm një përgjegjës.

“Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua se, për këtë humbje, përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi Sali Berishën”, pranoi Berisha.

Por, Sali Berisha shprehu bindjen se Partia Demokratike ka resurse dhe forca të shumta, që do ta udhëheqin drejt fitores së ardhshme dhe se kreu i ri i PD-së pritet të zgjidhet, për herë të parë, nga anëtarësia.

“Partia Demokratike, si parti e fillimeve të reja, e ndryshimeve të mëdha, do të dijë të lexojë me mençuri, guxim e përulësi, mësimin e sovranit në këto zgjedhje. Ajo, përmes trashëgimisë së saj, që bën krenar çdo shqiptar, ka në gjirin e saj potenciale njerëzore të pakrahasueshme, ka projekte e ide. Me vlerat dhe parimet e drejta që mbron do të dijë, nën lidershipin e ri, me një fillim të ri të fuqishëm, të shndërrohet dora-dorës në një mazhorancë morale e pastaj zyrtare të vendit tonë”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalimit të tij të fundit, si kryetar i Partisë Demokratike, Berisha ka bërë një bilanc të arritjeve të kësaj force politike, duke nisur që ka rrëzimi i diktaturës e deri tek arritjet e 8 viteve të qeverisjes.

Berisha falënderoi të gjithë mbështetësit, partnerët e huaj, familjen e tij dhe cilindo, që ka kontribuuar në Partinë Demokratike. E në fund të fjalës së tij, Berisha siguroi se do të mbajë postet e tij deri në shtator, atëherë kur dhe qeveria e re do të nisë punën, e kur Partia Demokratike do të zgjedhë lidershipin e ri.

“Unë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, deri në fillim të muajit shtator, do të vazhdoj të punoj me përkushtim të madh në projektin e Shqipërisë së zhvilluar dhe, në përputhje me statutin e Partisë Demokratike, do të qëndroj në timonin e saj, për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e PD-së të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim, nën udhëheqjen e tij, drejt fitores së betejës më të afërt që na pret. Përpara! Zoti e bekoftë Partinë Demokratike, anëtarësinë, mbështetësit e saj. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo që janë. Falemnderit!”, përfundoi Berisha.

Pas kësaj fjale, ai u takua në selinë e PD-së me anëtarët e kryesisë dhe drejtuesit e fushatës në të 12 qarqet dhe më pas u përcoll nga qindra mbështetësit, që e prisnin jashtë selisë blu.

Berisha fotografohet nga qytetarët

Kryeministri Sali Berisha është fotografuar për herë të parë në publik që pas datës 23 qershor, paraditen e te merkures, në momentin e lënies së apartamentit të tij pranë “Rrugës së Elbasanit”.

Në shoqërinë e truprojave të tij është drejtuar per ne ambasaden hungareze, ku ka shprehur ngushellimet e tij per largimin nga jeta te ish-kryeministrit te ketij vendi.

Një ditë më parë kryeministri i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, takoi në presidencë Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Nuk ka asnjë informacion, si nga zyra e kryeministrit ashtu edhe nga ajo e presidentit mbi atë që është diskutuar në takim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA