“Komplikohet rruga drejt BE”/ Analiza e ekspertëve pas ndryshimit të rregullave: Anëtarësimi në 2030 është i mundur

07/10/2026 19:32

Procesi i anëtarësimit në BE për Ballkanin pritet të jetë i shkallëzuar, në paketën e re të prezantuar nga Komisioni Europian “Përgatitja për një Bashkim më të madh”.

Për akademiken Migena Leskoviku, qasja duket me masa më të rrepta, ku parashikohet edhe për Shqipërinë një integrim i kushtëzuar por edhe i kthyeshëm.

“Një integrim më gradual por nga ana tjetër edhe BE gradualisht të mbështesë institucionalisht dhe politikisht këtë qasje të këtyre vendeve të reja. Konkretisht janë propozuar udhërrëfyes indikativ duke bërë një hartëzim të sektorëve strategjikë, referuar kushteve që duhet të plotësohen nga këto vende“, tha Migena Leskoviku-akademike, eksperte e integrimit.

-A e bën të vështirë të realizohet objektivin e qeverisë për anëtarësimin në 2030?

“E bën të vështirë, por do thoja jo i pamundur. Komisioni Europian e ka vendosur që në cdo rast performanca e vendeve do të jetë e bazuar në meritën e tyre”.

Vendimmarrja mbi anëtarët e rinj do të ndikohet jo vetëm me pranimin në Union, por do të jenë nën mbikqyrje edhe pas anëtarësimit, për të siguruar që angazhimet e ndërmarra gjatë procesit të negociatave të vazhdojnë të përmbushen, në të kundërt planifikohen sanksione financiare deri te heqja e të drejtës së votës për cështje të rëndësishme.

“BE nuk do më eksperienca të këqija si ajo me Hungarinë nën Orbanin, por kërkon që vendet e reja që do të anëtarësohen të respektojnë kushtet që janë vendosur edhe gjatë fazës së anëtarësimit. Do ketë një kërkesë llogarie dhe monitorim të fortë edhe pas anëtarësimit, për të parë sa përmbushin elementin demokratik dhe standardet e parimit të shtetit të së drejtës si vlera bazë të unionit”.

Ndwr tw tjera, propozimi i KE synon që të zëvëndësojë unanimitetin e votës me shumicë të cilësuar, si dhe të forcojë institucionet dhe jetën demokratike të rajonit. Mbledhja e rradhës së Këshillit Europian më 15-16 tetor do të vijojë diskutimet mbi paketën e re të anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor.

Top Channel