Genocidi armen, Turqia, e indinjuar nga Franca

20/12/2011 14:40

Autoritetet turke shprehën një indinjatë të thellë ndaj Francës gjatë së martës, pasi në parlament nisi të debatohet një projektligj, i cili propozon ndëshkimin deri në një vit burg dhe gjobë të rëndë, për të gjithë ata që mohojnë genocidin turk ndaj armenëve.

Tema e vrasjes së 1,5 milion armenëve, në vitet e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, 1915-18, është një çështje ende shumë e nxehtë midis Ankarasë dhe Jerevanit zyrtar.

Ndërsa Armenia pretendon se bëhej fjalë për një spastrim të mirëfilltë etnik, burimet turke flasin vetëm për 300 mijë civilë të vrarë në luftime, edhe ata pasi armenët u organizuan në luftë përkrah Perandorisë Ruse, atëherë një kundërshtar.

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një letër zyrtare, e paralajmëroi presidentin Sarkozy për “pasoja të rënda” nëse projektligji do të miratohet.

”Një hap i tillë i Parlamentit Francez do të sillte pasoja të rënda për marrëdhëniet e ardhshme midis Turqisë dhe Francës, në rrafshin politik, ekonimik, kulturor dhe në të gjithë sektorët e tjerë. Përgjegjësia, nëse kjo do të ndodhë, do të jetë vetëm e ligjvënësve francezë”, shkruante Erdogan, duke mos lënë vend për interpretime të dyfishta.

”Nëse Franca dëshuron të hetojë mbi genocidin e ndodhur në kohë lufte, mund të hapë fare mirë dosjet e civilëve të masakruar në Algjeri apo përfshirjen në vrasjen e 800 mijë personave në Ruanda”, shtoi Erdogan.

Një prej masave të para që Turqia mund të marrë në rast të miratimit të ligjit është pezullimi i një porosie madhore të “Turkish Airlines”, për avionë të llojit “Airbus”, kompania franceze rivalizuese e “Boeing”.

Top Channel