
E gjithë Tirana është paralizuar në mëngjes kur drejtuesit e automjeteve në kryeqytet janë bllokuar në trafik për shkak të punimeve që kryhen në sheshin “Skënderbej”.
Trafiku pervec kaosit ka vonuar me mijëra qytetarë për të mbërritur në kohë në vendet e tyre të punës apo destinacionet e tjera, duke i revoltuar për këtë bllokim. Por kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama e ka shpjeguar këtë me faktin se Bashkia ka bërë një provë të ndryshimeve të lëvizjes në drejtimet e rrugëve dhe u kërkon qytetarëve të bashkëpunojnë për të realizuar këtë projekt.
“Nuk ka mundësi që kjo të realizohet në kohën e duhur, në rast se të gjithë nuk japim pjesën tonë të kontributit duke nisur nga bashkia, qeveria, mediat dhe qytetarët e thjeshtë. Sot eshte bërë një provë e parë. Kjo situatë nuk mund të ndryshojë duke bërë një ndërprerje të menjëhershme të trafikut, por secili duhet të ndryshojë në mënyrën e levizjeve të tij”, u shpreh Rama.
Ne fakt prova nuk është se ka rezultuar efikase pasi trafiku eshte bllokuar në të gjitha rrugët e kryeqytetit, duke vënë në dyshim suksesin e studimit të bashkisë për trafikun në rast të bllokimit të sheshit.
Rama nga ana e tij u shpreh se ka një studim të detajuar të trafikut por sipas tij bllokimi do të ndjehet vetëm në ditët e para, për sa kohë drejtuesit të orientohen më mirë me ndryshimet.
“Duhet të kuptojmë se kemi një sakrificë të përbashkët për të bërë duke u mësuar të bëjmë lëvizje të ndryshme nga ato të zakontat dhe menaxhim të mirë të kohës”, u shpreh Rama.
Kryetari i bashkisë ka inspektuar punimet në shesh bashkë me përfaqësuesin e qeverisë kuvajtjane që ka dhënë fondet,i cili ka shprehur edhe gadishmërinë për një shtesë tjetër të fondeve. Por kryeqytetasve, më shumë se punimet në shesh, sot u ka interesuar lëvizja dhe trafiku.
Top Channel