Kafshët shtëpiake janë të prekshme nga sars cov 2 dhe është e rëndësishme që edhe ato të mbrohen nga pacientët e prekur duke kufizuar ekspozimin e tyre.

Instituti i lartë i shëndetësisë në Itali, thotë se deri në 2 prill ka patur vetëm katër raste të dokumentuara ku kafshët shtëpiake kanë rezultuar të infektuara nga coronavirusi, dhe në origjinën e tyre është marrja e virusit nga pronarët e prekur nga Covid 19.

Kjo e dhënë, sipas ekspertëve, edhe pse e kufizuar në pak raste, meriton vëmendje. Studimet e bëra tregojnë se macet janë më të prekshme nga virusi krahasuar me qentë. Në disa raste të vëzhguara në Hong Kong, infektimi tek kafshët shtëpiake është zhvilluar në formë asimptomatike por në një tjetër rast, në Belgjikë, një mace e prekur ka patur probleme frymëmarrjeje dhe gastroenterike.

Ajo ka patur mungesë oreksi, të vjella, diarre, vështirësi në frymëmarrje dhe kollë, por është përmirësuar duke filluar nga dita e nëntë e shfaqjes së sëmundjes. Duke qenë se sars cov2 është një virus i ri, duhen intensifikuar përpjekjet për të mbledhur sa më shumë informacione, thonë ekspertët dhe duhen mbajtur në vëmendje në këtë mes edhe kafshët shtëpiake, që janë viktima të pafajshme. Ata po ashtu nënvizojnë se nuk ka asnjë të dhënë deri më tani që të tregojë se qentë apo macet mund të përhapin virusin. Sidoqoftë, rreziku ekziston.

Top Channel