Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Open”, guvernatori i bankës qendrore foli për shtim të parave në qarkullim.

Për të kuptuar se çfarë ndodh prej kësaj lëvizje të bankës ne pyetëm ekspertin e ekonomisë, zotin Ardian Civici.

Çfarë efektesh ka shtimi i monedhës në qarkullim?

“Shtimi i monedhës në qarkullim është një nga instrumentet ose mjetet që përdoret zakonisht nga bankat qendrore. Natyrisht, në raste ekstreme ose raste shumë të veçanta, për të shtuar masën monetare në qarkullim dhe nënkupton dy elementë:
Elementi i parë ka të bëjë me prerjen e parave të reja dhe hedhjen e tyre në qarkullim që natyrisht do të furnizonte me likuiditet bizneset, individët edhe bankat, por ka një risk shumë të madh sepse shoqërohet me rritje të inflacionit, me ulje të fuqisë blerëse dhe me rritjen e çmimeve. Ajo që është më e mundshme, siç e theksoi guvernatori në intervistën e tij, ka të bëjë me ato që quhen politika jokonvencionale, monetare, të cilat nënkuptojnë që përveç uljes së normës bazë të interesit, e cila aktualisht në Shqipëri është në nivelin 0.50%, që nënkupton që kreditë dhe përqindjet e interesit të tyre do të bëhen më të lira, që kostoja e parasë bëhet më e lirë dhe natyrisht favorizohet edhe kreditimi në kushte më lehtësuese.

Por përveç kësaj, flitet shumë dhe për atë që quhet lehtësimi sasior. Politikat e lehtësimit sasior që bëjnë bankat qendrore, dhe janë politika jo konvencionale, të cilat nënkuptojë ndërhyrjen direkt të bankës qendrore si aktor në treg, duke blerë që një pjesë të borxhit të qeverisë, qoftë edhe një pjesë të borxhit të koorporatave, ose biznesit, në mënyrë që tregu të pastrohet nga disa detyrime të kësaj natyre, që bllokojnë kanalet e likuiditetit, funksionimin normal të tregjeve financiare dhe monetare, dhe nga ana tjetër është një hedhje e re monetare në qarkullim.

Natyrisht kjo do të kërkonte dhe është instrument tipik, për vendet me tregje financiare të zhvilluara, me tregjet ku ekzistojnë edhe bursat, edhe mundësia për të futur, për të blerë qoftë obligacione ose aksione të koorporatave, apo edhe një pjesë të borxhit shtetëror, dhe mendoj që në Shqipëri për momentin, nëse do vijë çështja që të agravohet situata, edhe mund të përdoret si instrument, por besoj që do të jetë nga instrumentat e fundit, për të cilat në mund të kërkojmë që të kemi likuiditet në sistem. Aq më tepër, që deri tani tregu bankar është likuid por edhe banka e Shqipërisë garanton që ka të gjithë likuiditetin e nevojshëm dhe gjithë instrumentat për ta përcjellë këtë likuiditet në treg, qoftë për bankat tregëtare qoftë për një pjesë bizneseve nëpërmjet mekanizmit të kredisë, me kushte lehtësuese”.

Top Channel