Në Maqedoni të Veriut janë regjistruar edhe 30 raste të reja me koronavirusin, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 384, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Raste të reja të vdekjes nuk janë regjistruar dhe numri i përgjithshëm i viktimave mbetet 11.

Në Dibër, qyteti më i goditur me COVID-19, tani tre ditë me radhë nuk janë regjistruar raste të reja, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë është sinjal i mirë se masat e qeverisë kanë dhënë rezultatet në këtë zonë ku tani dy javë janë në fuqi masat e izolimit të plotë të qytetit.

Numri më të i madh i të infektuarve është në Shkup, ku janë të regjistruar 192 raste.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, të enjten ka njoftuar përfundimin e punimeve për ngritjen e një spitali mobil në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Shkup, me një kapacitet për të pranuar 130 pacientë.

“Vlerësojmë ky është vendi më i mirë për ngritjen e një spitali të këtillë, meqë është shumë pranë Klinikës Infektive. Por, sinqerisht besoj se nuk do të ketë nevojë që të shfrytëzojnë”, ka theksuar Filipçe duke besuar në kapërcimin e shpejtë të gjendjes me koronavirusin.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për 75 shkelje të orës policore, ku ndaj disa personavejanë ngritur edhe kallëzime penale. Për mosrespektim të masave policore parashihet dënim deri në një vit burg dhe gjobë në para.

Top Channel