Ndërprerja e pagave, sot mbledhja mes Shoqatës së Futbollistëve dhe Ligës

30/03/2020 12:58

Kreu i Shoqatës së Futbollistëve në Itali Damiano Tommasi do të mbajë një takim sot me drejtuesit e Ligës së Serisë A, ku natyrisht që vëmendja kryesore do të jetë pikërisht te diskutimi mbi ndërprerjen e pagave të lojtarëve.

Juventusi ishte kubi i parë që arriti një akord me futbollistët e saj për të mos i paguar për muajt mars, prill, maj dhe qershor, duke kursyer rreth 90 milionë euro në total, ndërsa edhe klube si Interi e Milani janë në rrugën e duhur për të arritur një marrëveshje të tillë.

Megjithatë Liga e Serisë A kërkon që të gjejë një zgjidhje për të gjithë klubet, të njëjtë si ajo e Juventusit, pasi në këtë mënyrë do të arrinte t’u kursente skuadrave jo pak, por rreth 443 milionë euro.

Një shifër e tillë do të ishte frymëmarrje për të gjithë klubet e Serisë A, që parashikohet se nga kjo ndërprerje do të humbin në total rreth 700 milionë euro, megjithatë ende pritet si do shkojnë negociatat mes Tommasit dhe drejtuesve të Ligës.

Vetë kreu i Shoqatës së Futbollistëve deklaroi se mbështet vendimin e futbollistëve të Juves, por nuk pranoi të shprehet nëse diçka e tillë do të aplikohet në të gjithë klubet apo jo.

Top Channel