Covid-19 në Top Talk: Sipërmarrësi Gjergj Luca i kërkon qeverisë të mbajë hapur korridoret kufitare për eksport/import

18/03/2020 19:08

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje me “Skype” , sipërmarrësi Gjergj Luca.

Sipërmarrësi ka një kërkesë të veçantë për institucionet qeveritare, gjatë kësaj periudhe të vështirë që ndodhet vendi ynë, por jo vetëm, si pasojë e koronavirusit të ri. Luca kërkoi që Kryeministri Edi Rama të kërkoj një mbledhje urgjente me të gjithë liderët e Ballkanit dhe të Evropës, për lejimin e kamionëve të mallrave që ndalohen në kufij. Sipas tij, kjo kërkesë është shumë e rëndësishme pasi nëse këto kamionë pengohen vendi do të kalojë në një kolaps të vërtetë.

“Të dali dhe të bëjë një bashkëbisedim (I referohet Kryeministrit Edi Rama) me të gjithë liderët e Ballkanit dhe të Evropës dhe të mos ndalojë makinat që nisen prej  Shqipërie, prej Maqedonie, prej Serbie. Të mos ndalojnë makinat që janë me furnizim ushqimor, sepse unë tashmë që po flas kam tre kamionë rrugës. Politika e jashtme duhet të zgjidhë problemin e shoferëve që i ndalojnë në kufij. Kjo është gjëja më e rëndësishme, nëse nuk lëvizin ato makina atëherë ne të gjithë kalojmë në kolaps”, u shpreh Gjergj Luca.

Top Channel