Rasul Mislaev është terroristi rus i cili gjatë natës është ekstraduar për në Rusi nën shoqërimin e agjentëve të policisë të ardhur nga ky shtet.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha  ka siguruar edhe foton e Mislaev i cili prej kohësh qëndroi i arrestuar në Shqipëri ndërsa pas procedurave me Rusinë u vendos ekstradimi i tij.

Ai ra në pranga pas një hetimi disa mujor nga Drejtoria e Antiterrorit shqiptar, pasi kishte hyrë në vendin tonë si emigrant i paligjshëm por gjatë survejimit dhe hetimit me teknika speciale, antiterrori shqiptar zbuloi se bëhej fjalë për një terrorist të përfshirë në organizatën ISIS.

Burime nga ministria e Brendshme i thanë gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, që Antiterrori pasi ia dorëzoi palës ruse, ka kërkuar shpalljen “non grata” të 34-vjeçarit.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën me dije se provat tregojnë se 34-vjeçari që qëndroi për 11 muaj në këtë dhomë të qendrës se Kareçit ka udhëtuar në vitin 2013 nga Rusia në Turqi dhe mandej në Siri, ku në qytetin Kharitan i është bashkuar njësisë së armatosur të organizatës terroriste.

Kur ai mbërriti në Shqipëri verën e 2018 së bashku me një grup emigrantesh që vinin nga lufta, ai u shtir si një person që as dëgjonte dhe as fliste. Por roli i tij mori fund pikërisht këtu në qendrën e mbyllur të Kareçit, pas intervistimit dhe dyshimit se në fakt nuk bëhej fjale për një person që përpiqej t’i shpëtonte luftës, por behej fjale për një person të rrezikshëm dhe terrorist.

Top Channel