Kontrolli i Lartë i Shtetit, përmes një auditi të thelluar, ka konstatuar shkelje të rënda nga ana e Ministrisë së Financave që drejtohej nga Arben Ahmetaj, lidhur me miratimin e projektit të koncesionit të rrugës Milot-Balldren, kosto e së cilës kap shifrën e çmendur prej 256 milionë eurosh, ose 15 milionë euro për kilometër.

Në raportin, një pjesë e të cilit është publikuar në gazetën shqip, thuhet se Kontrolli i Lartë i Shtetit ngarkon me përgjegjësi direkte ministrin e asaj kohe, Arben Ahmetajn dhe 6 zyrtarë të tjerë, për miratimin e kësaj kontrate abuzive. Në raportin e KLSH konstatohen një sërë shkeljesh që janë anashkaluar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila miratoi projektin, ku 1 km rrugë në fushë u kushton shqiptarëve 15 milionë euro.

Sipas raportit të KLSH, në kontratën që u rinegociua pa garë konstatohet se koncesionari nuk ka para për t’iu përgjigjur projektit, ka fryrje e kostove, si dhe gabime në parashikimet e flukseve të parasë. Pavarësisht problemeve, kontrata u firmos nga Arben Ahmetaj, të cilin KLSH e bën përgjegjës.

Fillimisht, në relacionin e buxhetit për 2018 qeveria kishte përcaktuar një fond total prej 113 milionë euro. 7 muaj më vonë kostoja e rrugës u shtua me 48 milionë euro duke shkuar në 161.5 milionë euro.

Nga auditimi konstatohen shkelje të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në lidhje me miratimin e dhënë si në aspektin e implikimeve financiare mbi studimin e fizibilitetit ashtu edhe në drejtim të risqeve të marra nga sektori publik.
KLSH konstaton se analiza e kryer nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është jo e plotë dhe nuk ka evidentuar problematikat në drejtim të flukseve të projektuara të parasë, burimet e nevojshme të financimit, treguesit kryesorë financiarë të projektit si dhe kostot kryesore që angazhojnë flukse dalëse të parasë. Në këtë mënyrë, për efekt të problematikave të vlerësuara më sipër nuk evidentohet të jetë refuzuar projekti, por është shprehur dakordësia në parim.
Konstatohet se ministria nuk ka analizuar në mënyrë të plotë përcaktimin e levërdisshmërisë së koncesionit në studimin e fizibilitetit në krahasim me alternativën e prokurorimit.

Nga auditimi konstatohet se ministra nuk ka marrë asnjë masë për shmangien e risqeve financiare, duke qenë se është miratuar studimi i fizibilitetit që përfshin mbartjen e këtyre risqeve nga sektori publik, duke lejuar mundësinë e rritjes së pagesave nga buxheti për realizimin e projektit koncesionar Për të gjitha shkeljet e konstatuara, në konkluzion, KLSH thotë se ngarkon me përgjegjësi ministrin e asaj kohë Arben Ahmetaj dhe 6 zyrtarë të tjerë.

Top Channel