Gjithçka që ka mbetur nga shkolla 9-vjeçare publike “Neim Babameto” në Spitallë të Durrësit është rrethimi dhe godina e veçuar e kopshtit të shkollës.

Tërmeti i shkaktoi dëme të shumta godinës së shkollës e cila u rindërtua rreth 12 vite më parë. Teksa mjetet e rënda kishin nisur prishjen e shkollës, godina u shkërmoq vetë duke dëmtuar dhe një nga makineritë e angazhuara në prishje. Për fat të mirë, shpëtuan punëtorët.

Me një fond prej 90 milion lekësh shkolla “Neim Babameto” u ndërtua nga e para në vitet 2007-2008, po në atë periudhë objekti shkollor dhe pse u vu në funksionim nuk u mor në dorëzim nga drejtori i atëhershëm i shkollës Mark Laska. Kjo për shkak të cilësisë së dobët të punimeve të kryera nga ish-shoqëria “Enrezo” me pronar Enver Shalën.

Ish-drejtori ende nuk është thirrur për të dhënë dëshmi e fakta që lidhen dhe me hetimin për shembjen e shkollës.
E ndarë nga një mur rrethues që u dëmtua nga shembja e shkollës ndodhet godina e kopshtit, e cila ishte ndërtuar disa vite para rindërtimit të shkollës.

“Deri tani nuk ka asnjë njoftim për dëmtime. Ngaqë makineritë po punojnë fëmijët nuk janë pranuar në kopsht për shkak të rrezikut që mund të paraqesë”.

Të shqetësuar, banorët shprehen se dikush duhet të përgjigjet për cilësinë e dobët të punimeve, ndërkohë që i duhet dhënë një zgjidhje dhe fëmijëve të cilët transportohen me autobusa drejt një shkolle pritëse.

“Më keq nuk ka ku të shkojë. Shteti duhet ta bëjë sa më shpejt shkollën. Të vijnë ekspertët e ta shohin. Në qoftë se është faji i ndërtuesit të përgjigjet ai. Cilësi e dobët. Fëmijët vijnë me autobuz e shkojnë me autobuz. Duhet të fillojnë sa më shpejt nga ndërtimi i shkollës pasi fëmijët nuk mund të vazhdojnë kështu.”, shprehet një qytetar.

“Është ndërtuar me cilësi të dobët. Shiko a ka beton, çimento aty?! Ka vetëm rërë dhe hekura. Shkolla ka 10 vjet që është bërë, po sikur dhe 50 vjet të kishte do të kishte mbajtur më shumë.”, thotë një tjetër.

Tashmë nga godina nuk ka mbetur asgjë, ndërsa 800 nxënësit e shkollës me autobusa vijojnë të shkojnë drejt shkollës pritëse “Leonik Tomeo” ku do të kryejnë procesin mësimor për një afat të papërcaktuar.

Vali Qyrfyçi

Top Channel