Ashtu si Cristiano Ronaldo, që u zëvendësua në ndeshjen ndaj Milanit dhe u largua direkt në dhomat e zhveshjes, u soll mbrëmjen e djeshme edhe ylli i Paris Saint Germain, Neymar, në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Lille.

Sulmuesi brazilian sapo ishte rikthyer nga dëmtimi dhe luajti në fushë për 65 minuta, por pa arritur të jetë vendimtar, ndërsa në momentin e zëvendësimit u vërshëllye gjatë nga tifozëria pariziene, që vijon të ketë një marrëdhënie të ftohtë me të.

Pas daljes nga katërkëndëshi i blertë, Neymar nuk përshëndeti trajnerin Tuchel dhe nuk preferoi të ulet në pankinë, por iku direkt në dhomat e zhveshjes, teksa mediat franceze konfirmojnë se edhe stadiumin e ka lënë para kohe.

Kujtojmë që Neymar kërkoi me ngulm largimin verën e kaluar, por asnjë klub nuk arriti të paguajë vlerën e kartonit të tij, ndërsa pak ditë më parë u kritikua hapur nga trajneri Tuchel, pasi kishte udhëtuar pa leje në Spanjë, për të ndjekur Kupën Davies.

Top Channel